Marrëveshja e Stabilizim Asociimit

Procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), ka filluar atëherë kur Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së kishte miratuar propozimin e Komisionit për fillimin negociatave më 12 dhjetor 2012. Bazuar në këtë raport, më 28 qershor 2013, Këshilli i BE-së mori vendimin për nisjen e negociatave për MSA ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Negociatat kishin filluar më 28 tetor 2013, me takimin e parë të Kryenegociatorëve. Pas hapjes së negociatave, me fokus në kapitujt IV, V dhe VI, raundi i dytë i tyre, i mbajtur më 27 nëntor 2013, u fokusua në përmbylljen e këtyre tre kapitujve, me ç’rast gjithashtu u hapën negociatat për kapitujt I, III, VII, VIII , IX dhe X. Raundi i tretë dhe i katërt u zhvilluan në dhjetor 2013, respektivisht në shkurt 2014, kurse në raundi i pestë (më 24 mars 2014) u fokusua në kapitullin e fundit të mbetur, Kapitullin II, mbi dialogun politik. Pas pesë raundesh të negociatave, takimi përfundimtar i Kryenegociatorëve u mbajt më 2 maj 2014, në Prishtinë, me ç’rast MSA ishte miratuar prej tyre, me vendosjen e inicialeve në korrik 2014.

Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më 27 tetor 2015, në Strasburg. Ajo më pas u miratua nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 30 tetor 2015, përmes Vendimit nr. 01/55 për miratimin e Projektligjit për ratifikim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës, në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër, dhe u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 2 nëntor 2015, me miratimin e Ligjit nr. 05/L-069 për ratifikim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës, në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër.

MSA vendosë kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për jetësimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit (PSA) deri në anëtarësimin e plotë në BE. Sa i përket fushëveprimit, përveç çështjeve politike e detyrimeve juridike (përfshirë ato që prekin rendin e brendshëm juridik), MSA mbulon të gjitha sferat e qeverisjes. Ajo përmban dhjetë ‘tituj’ (kapituj kryesorë, ose krerë), si dhe shtatë shtojca, pesë protokolle dhe një deklaratë të përbashkët:
•    Kreu I: Parimet e përgjithshme;
•    Kreu II: Dialogu politik;
•    Kreu III: Bashkëpunimi rajonal;
•    Kreu IV: Lëvizja e lirë e mallrave;
•    Kreu V: Themelimi, ofrimi i shërbimeve dhe kapitali;
•    Kreu VI: Përafrimi i ligjeve të Kosovës me acquis, zbatimi i ligjit dhe rregullat e konkurrencës;
•    Kreu VII: Liria, siguria dhe drejtësia;
•    Kreu VIII: Politika e bashkëpunimit;
•    Kreu IX: Bashkëpunimi financiar; dhe
•    Kreu X: Dispozitat institucionale, të përgjithshme dhe ato përfundimtare.

Pjesa dërrmuese e MSA-së bazohet në acquis-n e BE-së, përkatësisht tërësinë e normave juridike të zbatueshme brenda territorit të saj dhe nga të gjitha shtetet anëtare si subjekte juridike, dhe mbulon të gjitha fushat e politikave. Prandaj, Kosova, si shtet që synon anëtarësimin në BE, duhet që gjatë procesit deri te anëtarësimi të  miratojnë tërë acquis-në dhe ta bëjë atë pjesë të legjislacionit të saj të brendshëm.

Sipas MSA-së, gjatë vitit 2016, do të krijohen struktura të përbashkta Kosovë – BE për procesin e stabilizim asociimit të cilat do të marrin vendime politike dhe vendime tjera për zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e MSA-së. Keto struktura që pritet të themelohen janë:
•    Këshilli për Stabilizim Asociim (Niveli më i lartë politik);
•    Komiteti  për Stabilizim Asociim;
•    Nën-komitetet për Stabilizim Asociim;
•    Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim (strukturë e përbashkët mes Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës).

Ministri Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO