Ministrja Hoxha takon homologun gjerman, kërkon liberalizimin e vizave

Gjermani, 5 Korrik 2018 - Sot, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, zhvilloi takim me Ministrin e Shtetit për Çështje Evropiane, z. Michael Roth.


Gjatë këtij takimi, Ministrja Hoxha e njoftoi homologun gjerman për zhvillimet e fundit në vend, reformat e ndërmarra si dhe përkushtimin e institucioneve të vendit për të avancuar agjendën integruese.


Me këtë rast, Ministrja Hoxha kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave duke potencuar se Kosova ka plotësuar kushtet e udhërrëfyesit për viza, gjithsej 95.


Tutje, Ministrja Hoxha njoftoi Ministrin gjerman për përpjekjet e bëra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe theksoi se ky angazhim do të vazhdoj edhe pas liberalizimit të vizave.


Ministrja Hoxha theksoi se qytetaret e Kosovës tashmë një kohë të gjatë presin liberalizimin e vizave dhe qytetarët tanë meritojnë lëvizjen e lirë.


Ministrja Hoxha, po ashtu e njoftoi Ministrin Roth se Kosova ka ndërmarrë reformat e nevojshme për kontrollin e kufijve dhe ligjeve për të huajt, andaj liberalizimi i vizave nuk do të keqpërdoret nga qytetarët e Kosovës, duke theksuar se duhet dhënë mundësinë të rinjve tanë që të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, sepse Kosova beson fuqishëm në vlerat evropiane dhe kjo është rruga që jemi nisur, bashkimi me vlerat evropiane.


Ndërkaq, Ministri Roth falënderoi Ministren Hoxha për angazhimin si dhe ofroi mbështetjen e Gjermanisë në rrugën integruese të Kosovës, duke vënë në dukje se mbetet shumë punë për t’u bërë drejt integrimit evropian dhe në këtë proces reformat janë kyçe.


Ministri gjerman e siguroi Ministren Hoxha se Gjermania do të mbështes Kosovën në procesin integrues dhe vlerëson lartë reformat e ndërmarra, duke porositur që të vazhdohet dialogu me Serbinë dhe reformat në sektorët kryesorë.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO