Komisioni Evropian dhe autoritetet e Kosovës diskutojnë për ekonominë, statistikat dhe reformat strukturore

Komisioni dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës diskutuan rreth disa fushave të politikave të Kosovës, përfshirë zhvillimin makro-ekonomik, politikat fiskale dhe financiare, reformat strukturore dhe zhvillimin e sektorit privat, sistemin statistikor dhe kontrollin financiar. Komisioni theksoi rëndësinë e zbatimit të Konkluzioneve të Përbashkëta, të miratuara në lidhje me Programin e Reformave Ekonomike 2020-2022, të cilat targetojnë sfidat strukturore të përkeqësuara nga pandemia COVID-19 dhe synojnë stimulimin e rimëkëmbjes ekonomike në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Në fushën e politikave ekonomike dhe fiskale u diskutuan zhvillimet kyçe ekonomike, duke përfshirë rritjen e BPV-së, inflacionin, tregun e punës dhe konkurrueshmërinë e jashtme; si dhe rezultatet aktuale dhe të pritura fiskale dhe ekonomike të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike të përgatitur në muajin gusht, i cili e zgjati Paketën e Emergjencës të lansuar në muajin prill. Ndërkohë që rritja ekonomike e Kosovës u mbajt mirë në vitin 2019, në nivelin prej 4.2% të BPV-së, shumica e vlerësimeve presin që shifrat e BPV-së të bien me 5% këtë vit, si rezultat i drejtpërdrejtë i krizës së pandemisë COVID-19. Vlerësimet aktuale parashohin një rimëkëmbje të zgjatur për Kosovën, dhe rikthimi në nivelet reale të BPV-së para COVID-19 pritet të arrihet më së shpejti në fillim të vitit 2022. Komisioni Evropian bëri thirrje që të konsiderohen projeksione më realiste të nivelit të pritur të BPV-së, çka do të ishte në përputhje me parashikimet e pranuara. Në kontekstin e mbylljes së ekonomisë për shkak të pandemisë COVID-19, Komisioni kërkoi sqarime shtesë në lidhje me ndikimin e saj në tregun e punës dhe fuqinë punëtore.

Qeveria prezantoi parashikimet për politikat fiskale, duke pasqyruar projeksionet e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), të përshtatura për kontekstin aktual të COVID-19 - çka i ka bërë të papërdorshme vlerësimet e kaluara. Nga ana e BE-së u nënvizua rëndësia e respektimit të udhëzimeve të politikave të PRE-së, si dhe u shprehën shqetësime në lidhje me rritjen e shpenzimeve aktuale, uljen e niveleve të të hyrave, ekzekutimin nën nivel të buxhetit kapital, dhe për rritjen e risqeve fiskale dhe pasojat që sjell zvogëlimi i vazhdueshëm i rezervave ekzistuese të kapitalit. Në kontekstin e krizës COVID-19 dhe të rimëkëmbjes pas saj, Komisioni rikujtoi nevojën për ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal duke respektuar kufijtë e shpenzimeve dhe deficiteve të paraparë nga rregullat fiskale, si dhe duke marrë parasysh fleksibilitetin e përkohshëm të reagimit ndaj ndikimit të pandemisë. Komisioni theksoi edhe nevojën për të ruajtur nivele adekuate të rezervave, idealisht mbi nivelin e importit për 3 muaj, në mënyrë që të frenohen risqet e ardhshme në lidhje me mbledhjen e të hyrave. Sa i përket sektorit financiar, u zhvilluan diskutime mbi zhvillimet e fundit në sektorin bankar dhe të sigurimeve.

Autoritetet prezantuan statusin e reformave kyçe strukturore në sektorë të tillë si mjedisi i biznesit, energjia dhe privatizimi. Nga ana e BE-së, autoriteteve iu bë ftesë të mos miratohen nisma të reja për pensionet dhe nisma sociale, në pritje të shqyrtimit të të gjitha skemave ekzistuese sociale dhe vlerësimit të implikimeve të tyre afatgjata fiskale. Për më tepër, nga ana e BE-së u kërkua që të informohet vazhdimisht për zhvillimet në procesin e vazhdueshëm të privatizimit të Ndërmarrjeve Publike (NP) dhe Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh).

Komisioni konstatoi përparimin e arritur në reformat e tjera strukturore, si dhe theksoi nevojën e adresimit të çështjeve të ngutshme dhe të përkeqësuara aktualisht nga pandemia COVID-19. Nga ana e BE-së u nënvizua se agjenda e reformave të Kosovës duhet të drejtohet nga nxitja e zhvillimit të sektorit privat, forcimi i produktivitetit, dhe krijimi i vendeve të punës.

Në fushën e statistikave, Komisioni theksoi nevojën që Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) të përcjellë dhe të sigurojë zbatimin e Ligjit për Statistikat. Situata e burimeve për prodhimin e Statistikave Zyrtare në Kosovë u diskutua edhe në funksion të kërkesave për të dhënat dhe përshtatshmërisë së tyre kohore, si dhe të forcimit të kapacitetit administrativ të ASK-së. Diskutimi u përqendrua edhe në kërkesën për forcimin e llogarive kombëtare, dhe për këtë qëllim edhe të statistikave të biznesit, dhe ndarjen e tyre eventuale me bazat e të dhënave evropiane nën Eurostat. Grumbullimi dhe publikimi efikas i statistikave është prioritet i politikave të bazuara në dëshmi. Komisioni nënvizoi nevojën për zhvillimin e përgatitjeve të nevojshme për Regjistrimin e vitit 2021, veçanërisht në lidhje me metodologjinë dhe alokimin e fondeve të nevojshme, si dhe planet e mundshme të kontingjencave dhe masat shtesë të sigurisë në kontekstin e COVID-19.

Në fushën e Kontrollit Financiar, u diskutuan zhvillimet e fundit në Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik. U vu në pah se duhet t’i kushtohet vëmendje sigurimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, Menaxhimit të Financave Publike, dhe Reformave të Administratës Publike. Komisioni nënvizoi nevojën për forcim të funksionit të mbikëqyrjes dhe monitorimit të Parlamentit dhe Qeverisë, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i rekomandimeve të auditimit të jashtëm, si dhe për të siguruar zbatimin e legjislacionit për pavarësinë dhe statusin e zyrtarëve financiarë, auditorëve të brendshëm në organizatat buxhetore, dhe auditorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Takimi u bashkëkryesua nga Departamenti i Kritereve Ekonomike dhe Tregut të Brendshëm në Zyrën e Kryeministrit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare, dhe nga Drejtoria për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Informata mbi sfondin
◦Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.
◦Takimet e Komitetit dhe nën-Komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Përfundimet nga takimet janë të disponueshme në ueb faqen e Zyrës së BE-së në Kosovë (https://eeas.europa.eu/delegations/kosovo_en dhe në www.https://www.mei-ks.net.). Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Pylltaria, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.   Dy grupe të posaçme mbulojnë reformat në administratën publike dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
◦Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces. Takimet japin kontribut të drejtpërdrejtë edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO