Follow Us

Në një referendum për t’iu bashkuar BE-së, 72 % e qytetarëve të Kosovës do të kishin thënë “Po”

Anketa, e cila është organizuar nga projekti i financuar nga BE-ja, “Perspektiva e BE-së në Kosovë” (EUPK) dhe e cila është realizuar në maj dhe qershor të vitit 2012 nga “UBO Consulting”, përmbante 1,500 intervista ballë për ballë me përfaqësues nga i gjithë vendi, shqiptarë, serbë dhe komunitete të tjera minoritare të Kosovës, të cilat kanë qenë të ndara sipas gjinisë, arsimimit, të ardhurave, dhe prejardhjes urbane dhe rurale. Një anketë e ngjashme është realizuar për Zyrën e BE-së në gusht të vitit 2010, e cila edhe shërben si mundësi e mirë për krahasim të disa trendeve dhe aspiratave në opinionin publik.

Të gjeturat kryesore të anketës janë prezantuar të martën nga Zëvendës Ministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, Zëvendës Udhëheqësi i operacioneve në Zyrën e BE-së / PSBE-së, Melvin Asin, Zëdhënësi i Zyrës së BE-së/PSBE-së, Stojan Pelko, dhe Udhëheqësi i opreacioneve në UBO Consulting, Berat Abdiu.

Gëzim Kasapolli tha se 57% e të anketuarve besojnë se anëtarësimi i Kosovës në BE do të sillte dobi personale për ta, një nivel ky që është ngritur nga ai 54% në vitin 2010. “Unë jam veçanërisht i impresionuar me faktin që serbët e Kosovës kanë një pikëpamje dukshëm më pozitive për BE-në sot se sa që kishin në anketën e ngjashme të bërë në vitin 2010”, tha ai. 30% e të anketuarve serbë kanë thënë se ata mendojnë që BE-ja është pozitive, në krahasim me 0% që ishin në vitin 2010, dhe shifra e atyre që mendojnë se BE-ja është një forcë negative ka rënë nga 98% në vitin 2010 në 24% sot.

“Kjo anketë na jep një mjet shumë të mirë matjeje për veprimet tona të vetëdijësimit dhe madje edhe një bazë më të mirë për planifikimin e këtyre aktiviteteve në të ardhmen bashkë me Ministrinë e Integrimeve Evropiane,” tha Melvin Asin. Ai theksoi nevojën për menaxhimin e pritjeve, meqë koha që pritet për hyrjen e Kosovës në BE është shumë optimistike: 56% e të anketuarve kanë thënë se Kosova tani është e gatshme që t’i bashkohet BE-së; 34% besojnë se Kosova do t’i bashkohet BE-së “deri në vitin 2014” dhe 54% besojnë se Kosova do t’i bashkohet BE-së “brenda 5 viteve të ardhshme”.

Në mesin e të gjeturave të tjera të anketës së UBO-s, janë prezantuar disa trende interesante:
 
•    Televizioni mbetet burimi më i përhapur i informacionit lidhur me BE-në, politikat dhe institucionet e saj;
•    Shfrytëzimi i internetit si burim lajmesh është rritur dukshëm që nga viti 2010, duke  e bërë atë si burimin e dytë më të përhapur të informacionit sot;
•    Gazetarët ende gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik, me vendimmarrësit e BE-së në vendin e dytë;
•    Niveli i besimit në OJQ/përfaqësues të shoqërisë civile ka rënë dukshëm, nga 18% në vitin 2010 në 7% sot.

Anketa e plotë është në dispozicion në uebsajtin e EUPK (www.eupk.org), MIE-së (www.mei-ks.net) dhe Zyrës së BE-së / PSBE-së (www.eeas.europa.eu/delegations/kosovo) në anglisht, dhe ajo do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe dhe serbe deri në fillim të shtatorit. 

Anketë vetëdijësimi për BE-në dhe Integrimin Evropian në Kosovë