Follow Us

Mbahet takimi i tretë plenar i Dialogut për Stabilizim Asociim

Në takim u theksua rëndësia që Kosova duhet t’i kushtojë pesë fushave kyçe: tregtisë, reformave zgjedhore, reformat e administrimit publik, sundimi i ligjit dhe integrimi i komuniteteve.

Për sa i përket tregtisë, u diskutuan përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar politikat dhe aftësitë e veta për negociata tregtare. Përderisa ka progres në këtë fushë me ristrukturimet në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, BE-ja ka theksuar se politikat tregtare të Kosovës duhet të marrin parasysh interesin e Kosovës si dhe mjedisin rregullator botëror.

Një proces i rregullt zgjedhor është parakusht thelbësor për demokraci dhe qeverisje të mirë. Është qenësore që liderët politik të arrijnë pajtim dhe progres të shpejtë e konkret në reformat zgjedhore.  BE-ja ka siguruar ekspertizë që kur kanë filluar reformat dhe rekomandimet e BE-së duhet të merren me seriozitet dhe të ecet para me reforma. BE-ja ka përsëritur rekomandimet e veta për një sistem të thjeshtë dhe transparent që do të mundësonte sigurimin e rezultateve të sakta me kohë në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet e BE-së. 

Takimi ka theksuar poashtu rëndësinë e reformave në administratën publike, në veçanti për të siguruar se ekzistojnë kapacitet dhe burimet e domosdoshme për t’i çuar këto reforma përpara. Në këtë aspekt është me rëndësi të sigurohet që institucionet dhe organizmat tjera qeveritare të jenë të pajisura me staf profesional dhe të kenë kapacitetin e nevojshëm për të bartur më tej agjendën evropiane në të gjitha nivelet e institucioneve kosovare. Nevoja për të siguruar objektet dhe pavarësinë buxhetore për Ombudspersonin është nënvizuar si prioritet urgjent.

Diskutuesit janë pajtuar se ka nevojë për të nisur përpjekjet në fushat e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Autoritetet lokale duhet të sigurojnë një bashkëpunim të shtuar me EULEX-in e sidomos për sa i përket dialogut për viza dhe perspektivës për përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë. Është thelbësore që të adaptohet strategjia e re për anti-korrupsion si dhe plani i veprimit e poashtu implementimi i tij me gjithë përkrahjen e plotë politike të të gjitha niveleve.
 
Ky forum ka ofruar mundësinë për të diskutuar më gjerësisht situatën aktuale për të drejtat e njeriut, lirinë e të shprehurit për media dhe integrimin e komuniteteve minoritare.

Takimi është hapur prej anës së Kryeministrit Hashim Thaçi, zëvendës drejtorit gjeneral të drejtorisë për zgjerim në zyrën e Komisionit Evropian Joost Korte dhe shefit të zyrës së BE-së/ përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë Samuel Žbogar.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë:

“Takimi i tretë i Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimit po mbahet në vitin kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian po shënojnë një kthesë të madhe përmes intensifikimit të agjendës evropiane. Pra, mund të themi që ky vit po shënon formalizimin e raporteve Kosovë-BE.”

Zëvendës drejtori i Departamentit të Përgjithshëm për Zgjerim, Joost Korte, ka thënë:

\"Këtë vjeshtë BE-ja do të publikojë studimin e fizibilitetit për gatishmërinë e Kosovës të negociojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në. Ky është një hap historik dhe hap një fazë të re në marrëdhëniet Kosovë-BE. Ftoj autoritetet që të shtyjnë përpara reformat në pesë fushat kryesore: tregëti, reforma zgjedhore, reformë të administratës publike, sundim të ligjit dhe integrim të komuniteteve\".

Shefi i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuesi special i BE-së, Samuel Žbogar, ka thënë:
       
\"Ky vit ka shënuar një moment thelbësor në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në me nisjen e disa proceseve shumë të rëndësishme për Kosovën: dialogun për liberalizim të vizave dhe studimin e fizibilitetit për një MSA. Tani është në duart e institucioneve të Kosovës që ta marrin shpejtësinë dhe ti ecin proceset përpara. Takimet si ky i sotmi, ofrojnë mundësinë për ne, BE-në dhe partnerët kosovarë që të diskutojnë hapur pozicionin se ku qëndron Kosova për sa i përket proceseve të integrimit dhe çka duhet të bëjnë institucionet për të arritur këtë më shpejtë. BE-ja do të ndihmojë gjithmonë duke dhënë këshilla politike dhe ekspertizë kur ka nevojë si dhe përmes përkrahjes financiare\".

Informata sfondi:

•    Dialogu i PSA është kornizë për KE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar rregullisht çështjet teknike dhe politike në lidhje me agjendën Europiane. Takimet sigurojnë input të drejtëpërdrejtë në raportin vjetor të progresit të Komisionit Europian  dhe studimin e fizibilitetit në 2012.
•    Dialogu i PSA monitoron dhe përcjellë performancën e Kosovës në reforma, në veçanti me prioritetet e definuara në partneritetin Evropian dhe identifikon se si mund të asistojë BE-ja në këtë proces.
•    Janë shtatë fusha të cilat mbulohen në takimet sektoriale, dhe ato ndjekin nga afër dialogun që BE-ja e ka me kandidatët e tjerë dhe kandidatët potencialë. Takimet sektoriale janë për: Drejtësi, Liri dhe Siguri; Inovacion, Shoqëri të Informacionit, Politikë Sociale, Arsim dhe Kulturë; Tregti, Industri, Dogana dhe Tatim; Treg të Brendshëm, Konkurrencë, Mbrojtje të Shëndetit dhe Konsumatorëve; Bujqësi, Peshkim, Pylltari, Siguri të Ushqimit; Transport, Mjedis, Energji, Zhvillim Rajonal; Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistika.
•    Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut të PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Qeveria. Secili takim rezulton në veprime të përbashkëta për t’u përcjellë, mbi të cilat dakordohet që të ndërmerren nga autoritetet kosovare. Përfundimet e nxjerra nga këto takime mund t’i gjeni në webfaqen e Zyrës së BE-së për Kosovë.