Follow Us

U mbajt takimi me Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës - Procesi i liberalizimit të Vizave

Prishtinë, 04 Korrik 2012 – Ministria e Integrimit Europian sot organizoi takimin  me radhë të nivelit më të lartë politik me Kryetarët e Komunave ku u diskutua për procesin e Liberalizimit të Vizave.


Në këtë takim ishin prezent:  Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,  Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, si dhe z. Slobodan Petrovic, zëvendës kryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal.


Në hapjen e takimit, Ministrja Çitaku potencoi se :” Pas një pune intensive Qeveria e Republikës së Kosovës në qershor të këtij viti pranoi udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave. Kjo është një punë e përbashkët e institucioneve të Kosovës  ku niveli komunal ka pasur detyra të posaçme. Përmbushja e të cilave ka luajtur rol kyç në marrjen e këtij udhërrëfyesi. Ju përgëzoj shumë për punën e bërë, por në të njëjtën kohë ju paralajmëroj se na pret një punë edhe më intensive, dhe prej jush kërkohet një përkushtim maksimal për të arritur deri aty ku jemi nisur. Suksesi i shënuar në këtë proces do të tregoj se sa jemi ne të aftë të përballojmë, edhe proceset tjera drejt integrimit evropian duke pasur parasysh që liberalizimi i vizave është vetëm një pjesë e integrimit evropian. Në fokus të vëmendjes tonë gjithnjë duhet të jetë qytetarit ynë, i cili meriton një mirëqenie më të mirë, dhe lëvizje të lirë. Pas pranimit të udhërrëfyesit, institucionet tona janë të angazhuara në tri aspekte: aspekti institucional, përgatitja e raportit të gatishmërisë dhe përgatitja e planit për zbatimin e udhërrëfyesit.”


Ndërsa  Kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaci nënvizoi se: “Sot për herë të parë në historinë e vet, Kosovës po i hapet mundësia e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian përmes Studimit te Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Kjo është dëshmi më e mirë se si “Perspektiva Evropiane” është duke u përkthyer në përfitime praktike për shtetin e Kosovës. Duke marr parasysh që procesi i integrimit është një proces afatgjatë që kërkon reforma të thella është me rëndësi që të vazhdojmë të mbajmë kursin pozitiv të progresit. Këto reforma marrin kuptimin më të plotë në nivelin lokal. Është  pikërisht në nivelin lokal ku Ligjet dhe Strategjitë japin efektet e tyre, dhe ku nga letër kalojm në veprime. Në këtë drejtim, në veçanti sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dialogu dhe bashkëpunimi i mirëfilltë duhet të vazhdoj. Më lejoni të ju informoj që të gjitha institucionet qendrore qeveritare kanë marr udhëzime të qarta, që dështimet dhe vonesat në përmbushjen e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave do të trajtohen me përgjegjësi. Qytetarët tani shikojnë në institucionet e shtetit për të shënuar progres të nevojshëm, dhe të mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve”.


Nga ana e tij, Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe i Komunës së Shtimes Z. Naimi Ismajli tha së është kontribut i përbashkët i të gjithë qytetarëve të Kosovës, pushteti Lokal dhe atij Qendror  marrja e udhërrëfyesit , mirëpo do mundohemi që edhe detyrat që na dalin në vazhdim ti përfundojmë në afat të caktuar, si dhe më përpikëri.