Takimi i dytë i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian
Prishtinë, 3 korrik. 2012 - U mbajt takimi i dytë i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian nën udhëheqjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga.
Në këtë takim të pranishëm ishin Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, Kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës z. Jakup Krasniqi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, Përfaqesuesi Special i BE-së në Kosovë z. Samuel Zhbogar, udhëheqës të partive politike, zyrtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të Odes Ekonomike dhe Akademisë së Shkences.
Fjalimi i Ministres Çitaku për Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian
Të nderuar,
Nuk mundem te filloj fjalimin tim pa e cilësuar këtë vit si një nga vitet më të suksesshme dhe vendimtare për Republikën e Kosovës dhe qytetarët tanë. Ky vit ka shënuar aktivitete konkrete të cilat qytetarët tanë janë në gjendje ti prekin dhe ti përjetojnë ato. Dje u kthyem nga Vjena ku, bashkë me Kryeministrin morëm pjesë në konferencën e Grupit Drejtues Ndërkombëtar ku u arrit vendimi për përfundimin, brenda këtij viti, të mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ky është rezultat direkt i punës së Qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës të cilat kanë vërtetuar se Kosova është dhe do të mbetet një shtet me vlera të larta demokratike ku njeriu dhe mirëqenia e tij janë në qendër të vëmendjes. Kosova është bërë model për të gjitha shtetet tjera demokratike.
Fundi i mbikqyrjes së pavarësisë do të ndikojë edhe proceset tjera e vecanërisht në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Kjo lidhet me vlerat dhe standardet evropiane të cilat po synon ti arrijë Kosova. Kosova po tregohet se, natyrshëm, e ka vendin në familjen e madhe evropiane ku mbizotërojnë vlerat si demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtat e njeriut etj. Për të konkretizuar këtë marrëdhënie, për herë të parë sivjet, Kosova ka hyrë në raporte konkrete me BE-në. Si rezultat i punës konkrete e cilë është bërë nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe komunat në vecanti, ne pranuam udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave. Kjo është një arritur e madhe por që në të njejtën kohë e shton presionin në institucionet tona që të punojmë edhe më shumë dhe më seriozisht në arritjen e kritereve për heqjen e vizave për qytetarët tanë. Tanimë topi ka kaluar në anën tonë dhe ne duhet të dimë si të udhëheqim atë.
Ministria të cilën udhëheq unë dhe Qeveria në përgjithësi është shumë e përkushtuar që të vazhdojë me punën serioze për të cilën është shpërblyer me marrjen e këtij udhërrëfyesi. Gjithashtu mund të them se kam parë një seriozitet të madh në komuna që të rrisin produktivitetin e tyre pasi që edhe ato do të kenë një barrë të madhe në këtë proces. Të gjitha komunat do të kenë përkrahjen maksimale nga unë personalisht dhe stafi i ministrisë sime. Unë së shpejti do ti vizitojë edhe njëherë të gjitha komunat për të parë së afërmi arritjet dhe nevojat e tyre për të përballuar proceset. Në anën tjetër Qeveria ka vendosur që të themelohet Komiteti Drejtues për Liberalizimin e Vizave i cili do të udhëheqet nga ministria ime dhe kërkoj nga të gjithë ju që të jepni përkrahjen maksimale për reazlimin e punëve të tij. Bazë e punës së këtij komiteti do të jetë eksluzivisht udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Përveq kësaj, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, jemi duke punuar në Studimin e Fizibilitetit i cili poashtu shënon një hap të rëndësishëm dhe i cili do të hapë dyert për fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim asocim. Kjo marrëveshje do të shënonte hapin e parë formal drejt anëtarsimit të plotë në BE. Mund të them me siguri të plotë se Qeveria e Kosovës ka qenë shumë profesinale në plotësimin e pyetësorit për studimin e fizibilitetit dhe ka patur një mobilizim të gjithanshëm dhe i cili do të duhej të jetë i pranishëm gjatë gjithë kohës edhe në procest tjera. Komisioni verifikues nga komisioni evropian është ndarë shumë i kënaqur dhe vetëm ka vërtetuar atë cka ne e kemi thënë në afro 2,000 faqe të cilat i kemi dorezuar me rastin e plotësimit të atij pyetësori. Për këtë i falendëroj të gjitha ministritë dhe institucionet tjera të cilat I janë përgjigjur në afat të gjitha kërkesave të ministrisë sime. Duke u nisur nga kjo ne jemi shumë të bindur që Studimi i Fizibilitetit i cili pritet të lëshohet në shtator të këtij viti të jetë pozitiv dhe ne do të fillojmë të negociojmë nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim asocim.
Une personalisht jam shumë e lumtur që jam duke udhëhequr një sektor shumë të rëndësishëm por në të njejtën kohë shumë unifikues në të gjithë spekrin politik kosovar por edhe tek organizatat joqeveritare dhe tek të gjithë qytetarët e kosovës pa dallim. Kjo e bën të ardhmen tonë evropiane të sigurtë dhe punën time më të lehtë në aspektin e kordinimit të të gjithë këtij procesi por që mbetet ende shumë punë për tu bërë. Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian është një mekanizëm i rëndësishëm i cili e pasqyron këtë unitet dhe ne duhet të bashkëpunojmë këtu me sinqeritet duke përkrahur këtë proces dhe duke sjellur rekomandime konkrete të cilat mund të reflektohen në punën e përditshme të institucioneve tona dhe në raportet tona me BE-në.
Shoqria civile duhet të jetë më shumë e angazhuar dhe të japë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në një vend demokratik. Unë ju siguroj që të gjitha këshillat, vërejtjet dhe kontributet tuaja të ndryshme do të diskutohen dhe shqyrtohen në mënyrë serioze. Dyert e ministrisë sime do të jenë gjithmonë të hapura për ju. Vetëm bashkërisht mund të përshpejtojmë dhe të lehtësojmë procesin e integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ju faleminderit për vëmendje!











