Follow Us

Ministrja Çitaku priti diplomatin Britanik z. Owen Jenkins

Prishtinë, 21 qershor 2012 – Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, priti në takim z. Owen Jenkins, drejtor për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin e BE-së në Ministrinë e Jashtme të Anglisë (titulli zyrtarë: Zyra e Jashtme dhe e Commonwealth’it Britanik FCO), dhe z. Ian Cliff Ambasadorë i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

 

Gjatë takimit Ministrja Çitaku e njoftoi zotriun Jenkins për zhvillimet në procesin e integrimit Evropian të Kosovës dhe avancimet që janë arritur kohën e fundit. Ndër të tjera Ministrja Çitaku tha se ”Viti 2012 karakterizohet me intensifikimin e agjendës Evropiane. Kemi pranuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

 

Kemi avancuar dialogun tonë në fushën e sundimit të ligjit. Kemi shënuar progres në avancimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së përmes Pyetësorit dhe Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Me 28 shkurt Këshilli i Ministrave ka konfirmuar fillimin e studimit të fizibilitetit. Dhe me 8 qershor, si pjesë e kontributit në përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit Qeveria e Kosovës ka dorëzuar përgjigjet në pyetjet e parashtruara. Tani presim që në bazë të përgjigjeve të dorëzuara dhe rezultatit të misionit fakt-mbledhës, Komisioni Evropian të përfundojë Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që edhe do të jetë themel i avancimit të mëtutjeshëm të agjendës Evropiane”. Pra, i gjithë ky zhvillim e mban Kosovën të përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit sa më të shpejtë në familjen Evropiane.


Nga ana e tij z. Jenkins e falënderoi Ministren Çitaku dhe të gjithë Qeverinë e Kosovës për entuziazmin dhe dedikimin ndaj çështjeve që janë edhe kriter për integrim por edhe ananvsim të statusit dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu, z. Jenkins tha se i gjithë ky angazhim dhe qasje e mirë edhe sa i përket bashkëpunimit rajonal, dëshmon se Kosova është e orientuar në rrugë të duhur dhe ka në vete vlerat Evropiane.