Kosova dhe BE-ja diskutojnë tregun e brendshëm dhe konkurrencën
19 qershor 2012, Prishtinë - Një sërë temash, si lëvizja e lirë e mallrave, të drejtat e pronës intelektuale, prokurimi publik, lëvizja e shërbimeve kapitale/financiare, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe politika e konkurrencës, u diskutuan gjatë një takimi midis autoriteteve kosovare dhe Komisionit Evropian. Takimi është pjesë e misionit fakt-mbledhës për Studimin e Fizibilitetit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, të cilën është duke e përgatitur Komisioni. Rezultatet e këtij takimi do të japin indikacione për hapat të cilët duhet ti ndërmarrë Kosova drejt procesit të përafrimit me BE-në.
Takimi edhe vlerësoi përshtatjen e legjislacionit të Kosovës me standardet e BE-së dhe implementimin e tij. Në takim u diskutuan ne detaje edhe kapacitetet administrative. U bënë diskutime substanciale në vecanti edhe për raportet tregtare, si lëvizja e lirë e mallrave, shërbimet financiare dhe të drejtat e pronës intelektuale.
Informata mbi historikun
-Dialogu i PSA është një kornizë për KE-në dhe administratën e Kosovës që rregullisht të diskutojnë çështjet teknike dhe politike lidhur me agjendën evropiane. Takimet ofrojnë të dhëna të drejtpërdrejta për raportin vjetor të progresit të Komisionit Evropian.
-Dialogu i PSA ka për qëllim monitorimin dhe përcjelljen e reformave në Kosovë, në veçanti sa i përket prioriteteve të përcaktuara nga Partneriteti Evropian, dhe po ashtu identifikimin e mënyrës se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.
-Shtatë fusha mbulohen në këto takime sektoriale, dhe ato ndjekin nga afër formatin e dialogut që e ka BE-ja me kandidatët e tjerë dhe me kandidatët potencialë. Takimet sektoriale janë për: Drejtësi, Liri dhe Siguri; Inovacion, Shoqëri Informative, Politikë Sociale, Arsim dhe Kulturë; Tregti, Industri, Dogana dhe Tatim; Treg të Brendshëm, Konkurrencë, Mbrojtje të Konsumatorëve dhe të Shëndetit; Bujqësi, Peshkatari, Pylltari, Siguri të Ushqimit; Transport, Mjedis, Energji, Zhvillim Rajonal; Çështje Ekonomike dhe Financiare, Statistikë.
-Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut të PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Qeveria. Secili takim rezulton në marrëveshje të përbashkët për ndërmarrjen e veprimeve nga ana e autoriteteve kosovare. Një takim plenar, ku do të diskutohen prioritetet e reformës, pritet të mbahet në korrik të vitit 2012. Konkluzionet nga këto takime mund ti gjeni në uebfaqen e Zyrës së BE-së në Kosovë.











